PĖRBĖRJA, MĖNYRAT E PĖRDORIMIT DHE KARAKTERISTIKA TĖ TJERA TĖ DISA DROGAVE

Prof.dr.Vesel Latifi

 

PËRBËRJA, MËNYRAT E PËRDORIMIT DHE KARAKTERISTIKA TË TJERA TË DISA DROGAVE

 

1.Duhani

Duhani dhe alkooli janë dy drogat më të rëndësishme të ligjshme. Janë të ligjshme sepse përdorimi i tyre është i ligjshëm dhe i pranueshëm përgjithësisht prej normave aktuale morale të shoqërisë. Por ndërkaq dëmi fizik, psiqik, psikologjik, shoqëror dhe ekonomik individual që ato mbartin me vete është jashtëzakonisht i madh, madje edhe më i madh se ai i drogave të paligjshme. Rëndësia dhe pesha specifike e këtij dëmi rritet së tepërmi duke pasur parasysh që duhani dhe alkooli janë të ligjshëm dhe njëkohësisht shërbejnë si “porta hyrëse” për përdorimin e drogave të paligjshme nga individi përdorues i duhanit ose/dhe i alkoolit.

Pirja e duhanit është një problem madhor ndër adoleshentët, sidomos në këto vitet e fundit, ku vërehet një rritje e numrit të përdoruesve eksperimentalë të tij, sidomos në femrat (dëshira për të qenë “modern”).

Droga aktive e duhanit është nikotina.

Duhani zakonisht pihet si cigare, me pipe apo llulle, por mundet gjithashtu të merret me snort (burrnot) ose të përtypet në gojë.

Efektet janë shumë të shpejta dhe një dozë mund të zgjasë deri në 30 minuta. Rriten numri i rrahjeve të zemrës dhe presioni i gjakut. Përdoruesit e rregullt shpesh thonë se pirja e një cigareje mund të qetësojë ankthin dhe stresin, i ndihmon ata të përqëndrohen dhe të luftojnë mërzitjen. Disa përdorues mendojnë se pirja e duhanit ju frenon oreksin për ushqimin, pra ndihmon për mos-shtim në peshë.

 

Toleranca zhvillohet me shpejtësi. shumica e përdoruesve bëhen të varur dhe ndihen të urritur, të shqetësuar dhe të deprimuar nëse ata ndërpresin duhanin. Përdoruesit e rregullt për një kohë të gjatë kanë një risk shumë më të madh për të zhvilluar kancerin e mushkërive dhe kancer të disa organeve të tjera, sëmundje të zemrës, probleme të qarkullimit të gjakut, bronkite dhe ulçer të stomakut. Ka një rrezik evident për dëmtime shëndetësore edhe të personave të tjerë, të cilët janë në afërsi të përdoruesve dhe që mund të thithin tymin e duhanit në mënyrë pasive (e ashtuquajtura pirje pasive e duhanit).

Nëse duhanpirësi është i vendosur që të vazhdojë duhanpirjen, pra nuk dëshiron apo nuk mundet ta ndërpresë atë, atëherë për të uluir rreziqet e përdorimit ai duhet:

·          Të vendos një limit të numrit të cigareve që do të përdorë në ditë.

·          Të bëjë një ditë pushim në çdo javë.

·          Të kufizojë vendet e pirjes, si psh. të mos pijë duhan në shtëpi, në veturë, apo në ambijente pune.

·          Të shmang pirjen e duhanit përballë fëmijëve.

·          Të shmangë pirjen e duhanit në prani të personave që nuk pijnë si dhe në mjediset me ventilim të kufizuar.

·          Të përdorë cigare me përmbajtje të ulët të karbonit dhe me extra filter kur kjo është e mundur.

·          Të pijë vetëm gjysmën e çdo cigareje. Të shmanget nga individët që përdorin duhan dhe nga vende ku pihet duhan.

·          Të përdorë zëvendësuesit e nikotinës, sikurse është nikotina në forma të tjera (tip çamçakëzi, pllaka që vendosen mbi lëkurë, etj).

·          Të mos thithë në mushkëri tymin e duhanit.

 

 

2.  Alkooli

Alkooli është një lëng që përmban alkool etilik. Ai prodhohet prej fermentimit të frutave, zarzavateve, ose drithërave.

Në të kaluarën alkooli u jepej të sëmurëve të shtruar në spital për t’i ndihmuar ata në rregullimin e gjumit. Tamponët e njohura me alkool përdoren për pastrimin e lëkurës përpara injeksioneve.

Alkooli normalisht gëlltitet si pije.

Alkooli është një drogë sedative (qetësuese). Ai ngadalëson funksionet trupore. Sasit e vogla e bëjnë përdoruesin më të relaksuar dhe më pak të frenuar. Sasi më të mëdha mund të çojnë në çrregullime të koordinimit të lëvizjeve dhe të folur të turbullt, dyfishim të figurave në shikim, dhe së fdundi humbje të koshiencës. Efektet fillojnë mbas 5-10 minutash dhe zgjatin disa orë. Reagimi varion në vartësi të humorit të përdoruesit dhe të situatës.

Aksidentet janë më të zakonshmit, veçanërisht gjatë ngasjes së automjeteve, manipulimeve me makineri, etj. Pirja e menjëherëshme e sasive të mëdha të alkoolit (pra mbidoza) mund të çojë në humbje të koshiencës dhe bllokim të rrugëve të frymëmarrjes nga masa e të vjellave. Abuzimi i alkoolit shoqërohet me sjellje violente. Ulja e frenimit mund të çojë gjithashtu në seks jo të sigurt. Dëmi i alkoolit në organizëm tejforcohet kur marrja e tij shoqërohet me marrjen e drogave të tjera. Përdorimi i tij për një kohë të gjatë në sasira të mëdha mund të çojë në vartësi fizike dhe psikologjike si dhe tolerancë, një gjendje kjo që kërkon doza gjithnjë e më të mëdha të alkoolit për të fituar të njëjtin efekt. Tërheqja prej përdorimit të shtuar (abstinenca) mund të çojë në të dridhura dhe ankth. Nivele të larta të përdorimit për një kohë të gjatë mundet gjithashtu të çojnë në dëmtime të mëlçisë, stomakut dhe trurit…

 

Nëse dikush është i vendosur ta përdorë alkoolin, për të ulur rreziqet e përdorimit ai duhet:

·          Të jetë i ndërgjegjshëm për fortësinë e pijeve të ndryshme alkoolike dhe të ndjekë me vëmendje sasinë e pijes së konsumuar.

·          Të mos ngasë automjet apo të punojë me makineri të rrezikshme ndërkohë që është nën efektet e alkoolit.

·          Të marrë një sasi jo të madhe të hollash kur shkon në lokale për të përdorur pije alkoolike.

·          Të mbajë ndërmend nevojën për seks të sigurt dhe gjithmonë të përdor kondom.

·          Të përdorë pije jo-alkoolike ose me përqindje të pakta alkooli.

·          Të mos përdorë alkoolin me medikamente, veçanërisht me medikamentet gjumësjellës dhe qetësues, apo me drogat e paligjshme si heroina, amfetaminat ose ekstazia.

 

 

3. Kafeina

Kafeina është një drogë që gjendet në kafe, kakao, çaj, koka-kola, si dhe në disa tableta të medikamenteve të ndryshme.

Kafeina ka qenë përdorur në përgatitje të ndryshme mjekësore, psh. për të qetësuar dhimbjet e kokës, etj. Kofeina merret përmes pijeve ose hahet në formë të konfeksioneve apo tabletave. Shumë të rritur dhe të rinj përdorin kafeinë në mënyrë të përditshme.

Kafeina është një drogë stimulative: ajo lufton përgjumësinë dhe lodhjen. Mundet gjithashtu të rrisë përqëndrimin mendor. Përdorimi i saj rrit të rrahurit e zemrës dhe tensionin arterial. Efektet fillojnë menjëherë dhe mund të zgasin disa orë. Përdorimi i kafeinës shton urinimin. Dozat e larta mund të çojnë në dhimbje koke dhe irritabilitet.

Përdoruesi i rregullt të dozave të larta të kafeinës bëhen të varur. Individët që konsumojnë rreth gjashtë deri tetë filxhanë të kafës në ditë mundet të vuajnë simtomat e tërheqjes (abstinencës) kur ata tentojnë që të shkëputën nga droga. Nëse marrja e kafeinës ndërpritet menjëherë, mund të shfaqen shenja të tilla si iritabilitet, lodhje e theksuar dhe dhimbje koke. Vartësia ndaj kafeinës është zakonisht e pranueshme në shoqëri. Përdorimi në sasira të mëdha për një kohë të gjatë rrit riskun për shfaqjen e ulcerës peptike, sëmundjeve të veshkave, të fshikëzës urinare, të zemrës, si dhe probleme të tensionit të gjakut.

Nëse përdoruesi është i vendosur që ta vazhdojë përdorimin e kafeinës, atëherë ai duhet që:

·          Të përdor kafe të dekafeinizuar apo çajë jo të fortë.

·          Të mbaj parasysh dozën ditore të kafës të përdorur.

·          Të shkëputet nga përdorimi për një ose dy ditë në javë.

 

4.  AMFETAMINAT

Amfetaminat janë droga sintetike që përgatiten në një shumëllojshmëri formash si pluhur i bardhë, i gjelbër ose i verdhë, tableta, si dhe lëng i futur në kapsula. Përdorimi në rrugë i amfetaminave përfshinë më shpesh trajtën në formë pluhuri.

Amfetaminat u prodhuan fillimisht (vitet 1920) për qëllime mjekësore. Ato jepëshin gjerësisht në vitet 1950 dhe 1960 për të trajtuar depresionet dhe jepen akoma si medikamente për të ulur oreksin në trajtimin e mbipeshës trupore. Ato gjithashtu u jepeshin ushtarëve për të mposhtur lodhjen në betejat ushtarake. Përdorimi aktual për qëllime mjekësore përmbledh mjekimin e narkolepsisë (një tendencë për të rënë në gjumë të zgjatur), si dhe në hyperkinezi (hiperaktivitet) në fëmijët.

Amfetaminat mund të thithen në trajtë pluhuri nga hunda. Në trajtën e pluhurit, tabletave dhe kapsulave ato mund të merren edhe si cigare (pirje apo tymosje e cigarës), dhe në ndonjë rast edhe përmes injektimit në organizëm.

Amfetaminat janë drogë stimulante që rrit ritmin e frymëmarrjes, ritmin e pulsit, energjinë dhe vigjilencën. Efekti i një doze të vetme mund të zgjasë tre-katër orë. Dozat e larta apo përdorimi i zgjatur mund të çojnë në ndjesi të tilla si rritje e energjisë fizike dhe kapacitetit mendor. Në ndonjë rast pas përdorimit të amfetamines, përdoruesi mund të ndihet anksioz dhe tepër i shqetësuar, i përfshirë nga ndjenja e panikut apo e persekucionit. Këto ndjesi shuhen menjëherë sapo përdoruesi të lerë drogën. Oreksi tenton të jetë i frenuar dhe shtohet pagjumsia. Kjo shpjegon përdorimin e amfetaminave nga individët që duan të bien në pesh dhe nga ata që duan të rrinë zgjuar për arsye të ndryshme. Menjëherë sapo efektet shuhen, përdoruesit ndihen shumë të lodhur dhe për këtë kërkohet disa kohë që të normalizohen dhe të shërohen.

Vet emri më i njohur ndër përdoruesit – “speed” (nxitësi), ve në dukje efektin kryesor të amfetaminave. Është si një llojë energjie e huazuar, çka nënkupton atë që përdoruesi i lypset një periudhë kohe që të shërohet mbas një sesioni të gjatë të përdorimit. Ai mund të ketë vështirësi të ambijentohet me ritmin e punës normale. Kjo gjithashtu mund të çojë përdoruesin në sforcim të aktivitetit fizik, duke e bërë atë të humbasë shumë djersë, rrjedhimisht në rritje të nxehtësisë trupore të tij (psh në vallëzim në disko për gjatë gjithë natës).

Efekti i fuqishëm stimulant mundet gjithashtu të jetë i rrezikshëm për individët me probleme të zemrës apo të tensionit të gjakut. Përdorimi për një kohë të gjatë i amfetaminave mund të çojë në zhvillimin e tolerancës (që do të thotë kërkesa për doza më të larta për të përfituar të njejtin efekt) si dhe mungesën e oreksit dhe të gjumit. Kjo gjendje shpie në ulje të rezistencës së organizmit ndaj sëmundjeve të ndryshme. Megjithëse vartësia fizike nuk përbën ndonjë problem, lënia e menjëherëshme mbas një përdorimi të zgjatur mund të jetë tepër e vështirë, sepse përdoruesit do të ndihen mjaft të deprimuar dhe letargjikë në kohën që nuk e përdorin drogën. Ata mund të kenë ardhur në një pikë që kanë nevojë për marrjen e drogës, pra për stimulim që u jep ajo.

Nëse përdoruesi është i vendosur të përdorë amfetaminat, atëherë për të ulur rreziqet e përdorimit ai duhet:

·          Të ruaj sa më gjatë të jetë e mundur një regjim normal të punës, dietës dhe të gjumit.

·          Të përdorë drogën gjithmonë në sasira të vogla dhe me ndërprerje kohë-gjata ndërmjet seancave të përdorimit.

·          Të sigurojë kohë të mjaftueshme për të rigjeneruar bateritë e trupit mbas çdo seance të përdoprimit.

·          Të mos i nënshtrohet aktiviteteve të shtuara fizike gjatë kohës së përdorimit.

·          Të sigurojë pushime të mjaftueshme dhe të pijë sasira të mjaftueshme të ujit për të rivendosur langjet trupore të humbura përmes djersës nëse është i angazhuar në aktivitete fizike (sikurse janë vallzimi apo vrapimet).

·          Pirja e sasive të mëdha të ujit mund të jetë e rrezikshme në vetvete. Prandaj, për ata që përdorin “drogat e dancit, vallzimit” rekomandohet pirja e një sasie rreth 500 mililitra ujë në orë.

·          Humbja e kripërave gjithashtu mund të jetë një problem serioz për ata që pijnë sasira të konsiderueshme uji, prandaj është një ide e mirë që gjatë vallzimeve dhe pirjes së ujit të përdoren ushqime të kripura.

·          Të përdorë pajisje të pastërta nëse droga përdoret me injeksion, dmth, të shmangë me çdo mënyrë bërjen e drogës me të njëtën shiringë me të tjerët.

·          Mos të përzijë amfetaminat me droga të tjera.

 

 

5. KANABISI

 

Knabisi sigurohet nga bima e Cannabis sativa, e cila rritet kudo në botë. Gjethet e bimës (bari) mund të pihen si duhan ose edhe të përtypen dhe të gëlltiten. Bima mund të koncentrohet edhe në formë të rreshirës (rezinës) të përgatitur në trajta kallëpesh ose në trajtë vaji. Përdoruesit e quajnë atë me emra të ndryshëm në vartësi të krahinës apo vendit dhe mjedisit social.

Kanabisi mund të përdoret në trajtimin e glaukomës (një sëmundje e syrit), artritit, AIDS, sklerozës multiple, si dhe për të mposhtur efektet anësore të kimioterapisë të përdorur në trajtimin e kancerit.

Gjethet e kanbisit mund të pihen si duhan, vetëm ose të përziera me duhan në llullën e duhanit. Rezina mund të pihet si cigare dhe ndonjëherë edhe mund të hahet. Që të dyja, si gjethët, ashtu edhe rezina apo dylli, gatuhen ndonjëherë me gjellët. Vaji i kanabisit zakonisht përdoret për të lyer cigaret që më pas pihen (tymosen).

Efektet e kanabisit shpesh varen nga gjendja shpirtërore e përdoruesit, pra e humorit dhe e mendimit paraprak për efektet e pritshme të drogës. Përdoruesit shpesh referojnë se ndihen më të relaksuar, me humor të shtuar dhe të qeshura pa vend. Ata flasin shumë, e kanë të shtuar ndjesinë e vlerësimit të ngjyrave dhe të zhurmave. Nganjëherë përdoruesit janë anksiozë dhe nevrikë, veçanërisht nëse ata nuk kanë mndësi për të siguruar drogën. Përdorimi i kanabisit cenon përqëndrimin, të menduarit, dhe mjeshtëritë manuale (të punës me duar). Ndjesitë e urisë dhe të harresës janë të zakonshme. Efektet nisin menjëherë dhe mund të zgjasin disa orë.

Nuk ka rrezik për mbidozë fatale apo mundësi për t’u kthyer në drogë-vartësi. Por, sikurse me droga të tjera mund të zhvillohet vartësia psikologjike. Nëse përdoruesi bëhet i varur nga droga për të përfituar relaksion, ai do ta ketë të vështirë që të bëjë pa të (vartësi psikologjike). Përdorimi për një kohë të gjatë përmes pirjes me duhan mund të çojë në probleme të mushkërive. Ka gjithashtu risqe për aksidente ndërkohë që përdoruesi është nën efektin e drogës, (psh kur ai nget automjet). Përdorimi i kanabisit mund ta bëjë të vështirë seksin e sigurt pasi droga tenton që të ulë nivelin e ndjeshmërisë. Kur droga merret në situata ku përdoruesi ndihet i deprimuar apo anksioz, ajo mund të çojë në gjendje paranoike.

Nëse përdoruesi është i bindur që të vazhdojë përdorimin e drogës, atëherë, për të ulur rreziqet e përdorimit ai duhet:

·          Të shmangë ngarjen e automjeteve apo veprimet me makineri të rrezikshme ndërkohë që është nën efektin e drogës.

·          Të bëjë disa ditë pushim për çdo javë. Kjo do të parandalojë çdo vartësi psikologjike e cila vendoset gradualisht dhe pa u ndier.

·          Të shmangë përdorimin e formave të forta të kanabisit.

 

 

6. KOKAINA DHE KRAKU

Kokaina nxirret prej bimës Coca, një shkurre që rritet në Amerikën e Jugut. Fillimisht ajo përgatitet në formën e pastës së kokas dhe më tej përpunohet për të prodhuar kokainën që zakonisht ka trajtën e pluhurit të bardhë kristalin. Kraku është një formë e kokainës, e cila është e mundur që të pihet në trajtën e tymosjes përmes djegies, dhe ka trjatnë e kristaleve pa forma ose trajten të “shkëmbit”

Kokaina sot përdoret rrallë në mjekësi. Në të kaluarën ajo është përdorur si anestetik lokal. Deri në vitin 1904 Coca-Cola përmbante sasi të vogëla të ekstraktit të kokas dhe tregëtohej si tonik. Zigmund Frojd, psikanalisti i famshëm, ishte një prej përdoruesve entuziastë dhe mbrojtës i kokainës.

Kokaina pluhur zakonisht thithet përmes hundës, shpesh përmes një bankënote të përdredhur si kaush apo të një pipe ose kërcelli kashte. Por ndonjëherë ajo përgatitet për t’u injektuar në formë solucioni. Kraku pihet me llulle, në një tub xhami, qese plastike ose në fletë alumini. Tymi që krijohet nga djegia e trajtës “shkëmbore” të krakut thithet (inhalohet) në mushkëri.

Kokaina dhe kraku janë droga stimulante që e bëjnë përdoruesin të ndihet vigjilentë, me vetbesim dhe i fuqishëm. Një nivel më i lartë i dozave e bënë përdoruesin të ndihet anksioz dhe me gjendje paniku. Efektet fillojnë fuqimisht mbas 5-10 minutash, por shuhen me shpejtësi. Doza ka nevojë të përsëritet për rreth çdo 20 minuta për të ruajtur efektin e dëshiruar.

Dozat e larta mund të bëjnë përdoruesin të ndihet shumë anksioz. Efekti stimilant mund të pasohet nga ndjenja e depresionit dhe e lodhjes. Megjithëse kokaina nuk është drogë që normalisht të çojë në vartësi fizike, përdoruesit mund të joshen për përdorimin e rregullt në përpjekje për të mbajtur ndjesitë e energjisë dhe të fuqisë dhe për të shmangur depresionin dhe mungesën e “gjendjes së lartë shpirtërore”. Kjo është sidomos arësyeja e kësaj gjendjeje të lartë shpirtërore, e cila shpie në një gërryerje psikologjike për doza gjithnjë e më të larta. Përdorimi në doza regullisht të larta mund të çojë në shqetësim, nauze, pagjumësi dhe paranojë. Thithja e përsëritur e kokainës mund të çojë në vështirësi të frymëmarrjes dhe mund të dëmtojë kalueshmërinë e ajrit përmes hundës. Tymosja e përsëritur e kokainës në formë të djegies çon në dëmtime të mushkërive dhe humbje të zërit.

Injektimi i kokainës mbart me vete riskun e infektimit prej sëmundjeve që transmetohen përmes gjakut (sikurse HIV/AIDS, hepatite virale B e C, etj), pikërisht atëherë kur pajisjet injektuese ndahen me njëri tjetrin me një grup përdoruesish.

Nëse përdoruesi është i vendosur për të përdorur kokainën ose krakun, atëherë për të ulur rreziqet e përdorimit ai duhet:

·          Të mundohet të shmangë përdorimin e rregullt.

·          Të ketë parasysh gjithnjë sasinë, dozën e drogës së përdorur, koston dhe shpenzimet e tjera dhe të vendos limite.

·          Të përzgjedhë më mirë thithjen e pluhurit të kokainës përmes hundës në vend të përdormit të krakut përmes djegies së tij.

·          Të përpiqet të ruaj gjumë, regjim dhe diet të rregullt.

·          Të lerë një kohë rikovalishencë (periudhë mospërdorimi) mbas çdo seance të përdorimit. Të bëjë një apo dy ditë pushim çdo javë.

·          Të shmangë nëse është e mundur rrugën e përdorimit me injektim. Nëse është e pamundur të shmangë këtë rrugë, atëherë të bëjë shumë kujdes që të mos përdorë pajisjet injektuese me përdorues të tjerë.

·          Të mos e përziejë kokainën me droga të tjera, veçanërisht me heroinën dhe depresante të tjera.

 

7.  EKSTAZIA (Ecstasy)

 

Ekstazia është një drogë e prodhuar ilegalisht, e përgatitur në formë të kapsulave ose të tabletave. Emri kimik është MDMA-3,4 methylenë-dioxymetamphetaminë. Droga të ngjashme me te, si MDA ose MDEA tregohen ndonjëherë si ekstazi.

Ekstazia është përdorur për herë të parë në Gjermani në fillim të shekullit njëzet si një mjet për të frenuar oreksin, megjithëse disa mjekë në vende të ndryshme kanë sugjeruar përdorimin e saj në individët që kanë preobleme mendore kronike.

Ekstazia përdoret zakonisht në formë tabletash apo të kapsulave që merren nga goja. Kjo drogë është bërë mjaft popullore në shumë vende perëndimore qysh prej fundit të viteve tetëdhjetë. Ajo vazhdon të jetë një drogë që përdoret nga të rinjtë në rrethana të ndryshme sociale.

Ekstazia është një drogë stimulante me veti të lehta halucinatore. Ajo ka tendencë t’i bëjë përdoruesit të ndihen më energjikë. Shumë përdorues raportojnë një ndjenjë qetësie, humbjen e ndjenjës së armiqësisë dhe të inatit, rritjen e sensit të komunikimit dhe të simpatisë për të tjerët. Mundet gjithashtu të vërehet një sens i rritur i vlerësimit të ngjyrave dhe të ambijentit rrethues. Ndonjëherë përdoruesit mund të ndiejnë të përziera de çorientim. Kontrakturat e nofullës dhe humbja e oreksit janë të zakonshme. Efektet fillojnë mbas 20-60 minutash dhe mund të zgjatin për disa orë.

Me përdorimin e dozave të larta mund të instalohet një gjendje e konfuzionit, sidomos kur përdoruesit janë në gjendje paniku. Përdoruesit e rregullt mund të vuajnë prej problemeve të gjakut, mugesës së energjisë dhe depresionit. Ndërsa vartësia fizike nuk përbën ndonjë problem, mund të zhvillohet vartësia psikologjike, sidomos përsa i përket ndjesisë të qetësisë dhe të euforisë të shoqëruara me perdorimin e drogës. Ka një rrezik të madh për aksidente ndërkohë që individi mund të jetë ende nën efektet e drogës. Seksi i sigurt mund të jetë tepër i vështirë që të realizohet nën efektet e ekstazisë, që njihet edhe si “drogë e dashurisë”.

Përdorimi i ekstazis mundet gjithashtu të jetë me rrezik veçanërisht për individët që kanë probleme të tensionit të lartë dhe të zemrës. Vdekjet nga kjo drogë janë të zakonshme. Ato ndeshen sidomos në rastet kur individi, ndërsa është nën efektet dhe influencën e drogës, bën aktivitet fizik papushim. Një aktivitet i tillë shpie në shtimin e harxhimit të energjisë, rritjen e temperaturës së trupit, si pasojë e humbjes së shtuar të  langjeve (dehidratim) dhe të kriprave të organizmit. Një situatë e tillë është tipike për ekstazinë, që është tipikja e “drogave të dancit”, me përdorim të gjerë në mjedise të mbyllura si disko, klube nate, etj. Rrjedhimisht është e domosdoshme pirja e ujit në sasi deri në 500 mililitra në orë. Për të zëvendësuar humbjen e kriprave duhen ngrënë ushqime të kripura gjatë aktiviteteve fizike.

Problem është gjithashtu identifikimi. Ekstazia mund të jetë e vështirë të dallohet prej drogave të tjera. Përdoruesit janë ndonjëherë jo të sigurt rreth asaj se çfarë droge janë duke përdorur dhe çfarë efekti mund të ketë ajo. LSD dhe amfetaminat janë shitur shpesh në vend të ekstazisë. Nën emrin e ekstazisë mund të shiten edhe tableta të tjera, të ashtuquajturat “tabletat E”, të cilat përgatiten në ambijente shtëpie prej një sërë drogash të tjera apo përzirjesh fallco.

Për të ulur rrezikun e përdorimit të ekstazisë përdoruesi duhet:

·          Të shmangë përdorimin e rregullt, psh të mos përdorë çdo fund jave.

·          Të bëjë shumë kujdesë për ata se çfarë përdor sepse shumë tableta të shitura për ekstazi mund të përmbëjnë droga të tjera dhe përzierje.

·          Nëse nuk është i sigurt për fuqinë përdoruese të drogës të mos marrë një tabletë të plotë; fillimisht të marrë gjysëm tablete, të shohë efektin e saj, e pastaj të vendosë për marrjen e dozës së plotë të nevojshme për të.

·          Të shmangë aktivitetet fizike të tepruara, të tilla si vallzimi papushim.

·          Të bëjë pushime gjatë vallzimeve dhe të pijë sasira të përshtatshme të ujit për të zëvendësuar ujin e humbur. Por të mos përdorë më shumë se një gjysëm litri ujë në orë.

·          Të hajë ushqime të kripura për të zëvendësuar humbjen e kriprave sidomos kur merren sasira të mëdha të ujit.

·          Të shmangë ngarjen e automjeteve apo punën me makineri të rrezikshme ndërsa është ende nën efektin e drogës.

·          Të mos përdorë ekstazin së bashku me droga të tjera, veçanërisht alkool.Të bëjë gjithmonë kujdes për seks të sigurt.

8.  HEROINA (dhe drogat e tjera opioide)

Heroina është një pluhur që nxirret prej bohçes së bimës Papaverum somniferum (popi). Ka gjithashtu shumë opiate të tjerë (droga sikurse heroina) që prodhohen në mënyrë sintetike prej kimikateve të ndryshme apo prej përpunimit të mëtejshëm të heroinës sikurse janë morfina, petidina, kodeina, dikonali, temgesiku, palfiuni, metadoni, etj.

Në vende të ndryshme përdoren emra të ndryshëm dhe sinonime të ndryshme. Në Shqipëri dhe në Kosovë termat që përdoren më shpesh për heroinën janë “malli”, “pluhuri”, “e kuqja” etj.

Ka një përdorim të shtrirë të opiateve për qëllime mjekësore. Heroina dhe morfina janë medikamente që jepen për qetësimin e dhimbjeve të forta të padurueshme. Petidina shpesh i aplikohet grave gjatë lindjes. Opiate të tjerë përdoren gjerësisht për qetësimin e dhimbjeve, për qetësimin e kolles etj.

Methadoni përdoret sot gjerësisht në botë për trajtimin e vartësisë nga heroina. Synimi është që të jepet një drogë me efekte të ngadalta, e ngjashme me heroinën, e cila mposht kërkesat e përdoruesit për heroinë apo droga që trafikohen në rrugë. Në raste të veçanta vetë heroina është përdorur për trajtimin e përdoruesvë të drogës, përdorim ky tepër i rrallë sot.

Heroina mund të pihet në formë të cigareve, të thithet si pluhur ose të injektohet. Shumë opoide të tjerë merren përmes gojës në formë të tabletave dhe të tretësirave. Tabletat mund të shtypen dhe të treten për t’u injektuar intravenoz.

Opioidet janë droga sedative. Ato ngadalësojnë funksionet trupore dhe japin një ndjenjë të ngrohtësisë. Përdorimi pasohet nga ndjesitë e një shkëputjeje prej ambijentit të jashtëm, ndjesi relaksuese (çlodhëse).Shmangen ndjesitë e ankthit dhe bllokohen ndjesitë e dhimbjes fizike dhe vuajtjes emocionale. Doza më të larta mund të çojnë në qetësim dhe përgjumsi. Efektet fillojnë me shpejtësi dhe zgjasin disa orë, por kjo varion sipas rrugës së marrjes.

Gjatë përdorimit të rregullt zhvillohet toleranca (kërkesa për doza më të larta për të fituar të njejtin efekt) si dhe vartësia fizike. Tërheqja nga përdorimi apo abstinenca mund të çojë në simptoma klinike tepër distresuesë për përdoruesin: përdoruesi i heroinës, tek i cili është zhvilluar tashmë vartësia totale psikologjike dhe fizike ndaj saj, dhe ende më keq edhe toleranca, e ka tepër të vështirë ndërprerjen e marrjes së heroinës, sepse ai do të ndodhet përpara një simptomatologjie klinike shumë stresante për te, me simptoma që do ta shtyejnë të përdorë përsëri drogën. Është për këtë arsye që ai duhet domosdoshmërisht të ndodhet nën mbështetjen e vazhdueshme terapeutike mjekësore, të ndërthurur me mbështetjen psikologjike dhe sociale, fillimisht në qendrat e specializuara të detoksifikimit (mjekimi afat-shkurtër), dhe më pas në qendrat e specializuara rezidenciale (mjekimi afat-gjatë). Dhe është pikërisht në këtë drejtim që merrë rëndësi mjekimi zëvendësues me metadon (pacienti merr metadon në vend të heroinës, gjithmonë duke qenë i trajtuar në qendrat e specializuar, dmth nën kujdesin e mjekut specialist.

Vështirësia psikologjike dhe fizike për ndërprerjen e përdorimit të heroinës mbart në vetvete rrezikun e drejtimit në sjellje kriminale: përdoruesi e kërkon domosdoshmërisht heroinën, për blerjen e së cilës ai shtuhet në vjedhje fillimisht në shtëpinë e vet e më pas jashtë saj., në grabitje, e deri edhe në dhunim e vrasje, duke u bërë kështu subjekt i ndjekjes penale. Dozat e mëdha të heroinës (mbidozat) çojnë në gjendje të humbjes së plotë të vetëdijës (koma), që shpesh përfundon në vdekje. Ky është risku më i madh i përdorimit të saj.

Marrja e heroinës me rrugë injektimi intervenozo mbart veç rrezikut të mbidozës edhe rrezikun e infektimit me sëmundjet të transmetueshme në rrugën e gjakut, konkretisht infeksioni vdekjeprurës HIV/AIDS (SIDA) apo infeksionet po ashtu fatale të hepatiteve virale B e C, etj. pikërisht atëherë kur përdoren pajisje injektuese (shiringa, age, etj) që kanë qenë të përdorura nga përdorues të tjerë.

 

Nëse përdoruesi është i vendosur që ta përdorë heroinën, pra të mos ta ndërpresë ate, atëherë për të shmangur rreziqet e përdorimit ai duhet që:

 

·          Të shmangë përdorimin e përditshëm.

·          Të bëjë kujdesë për rrezikun e fuqive variable të drogës (sasi e njejtë e heroinës paraqet efekte të ndryshme dhe risqe po ashtu të ndryshme në individë të ndryshëm), si për përzierësit në përbërjen e saj (heroina përgjithësisht shitet e përzier me lëndë të ndryshme për qëllime fitimi nga trafikantët) sidomos kur droga merret përmes injektimit.

·          Të mbajë një regjim ditor të rregullt për ushqimin dhe gjumin.

·          Të shmangë përdorimin intravenoz të drogës (ta përdorë heroinën me rrugët e tjera përveç asaj me injektim).

·          Nëse përdorë rrugën intravenoze të marrjes, të mos aplikojë drogën me të njejtën shiringë me të tjerët por të përdorë çdo herë nga një shiringë të re me një përdorim, e cila pas përdorimit duhet flakur që të mos përdoret më as nga ai vetë as nga të tjerët.

·          Të bëjë një interval sa më të gjatë pauze (pushimi) mbas çdo përdorimi, psh interval prej disa ditësh. Më pas, kur rikthehet në përdorim, duhet patjetër të ketë parasysh që tolernca ndaj heroinës mund të jetë zhdukur, dmth dozat që dikur mund të ishin përdorur pa asnjë pasojë, mundet që tani të çojnë bë mbidozë fatale.

·          Të mos përziejë heroinën me droga të tjera, sidomos drogat depresante (përfshirë alkoolin).

·          Të kërkojë alternativa të tjera të tilla si kalimi nga heroina në mjekimin zëvendësues me metadon të marrë nga goja (mjekim ky natyrisht në qendrat mjekësore të specializuara).

 

9.  LSD (Dietamidi i Acidit Lisegjik)

LSD është një drogë e përdorur ilegalisht, e quajtur Dietamidi i Acidit Lisegjik (Lysegic Acid Diethyamide). Vetëm sasira shumë të vogëla të saj nevojitën për të dhënë efektin. Paraqitet në trëjtë të lëngshme (copa letre të ngopura me tretësirën e drogës), apo në trajte të kuadrateve të vegjël, apo në formë tabletash dhe kapsulash.

Më parë ka pasur disa përshkrime përdorimi për qëllime mjekësore, sidomos për pacientët me probleme kronike të sëmundjeve mendore, por ky përdorim u eliminua plotësisht për arsye sepse efektet ishin krejtësisht të paparashikueshme e të pamatshme. Pra, aktualisht nuk ka asnjë lloj përdorimi të LSD për qëllime mjekësore.

     LSD merret zakonisht përmes gojës në formë kapsulash, tabletash dhe copëzash letre të      ngopur me tretësirën e drogës.

LSD është një drogë halucinogjenike. Efektet fillojnë mbas 30 minutash deri në një orë dhe mund të zgjasin deri në 12 orë. Efektet variojnë nga personi në person. dhe tek i njëjti person nga gjendja emocionale në momentin e përdorimit. Mund të ketë deformime të imazheve vizive (imazheve të pamjes) dhe atyre auditive (imazhet e dëgjimit), pra halucinacione, si dhe intesifikimi të ngjyrave, ndryshime në sensin e kohës dhe të hapësirës, etj. Disa përdorues raportojnë një rritje të vigjilencës për veprimet e tyre. Ndjesitë e të qenit jashtë trupit janë të zakonshme. Ndërsa një efekt i LSD mund të jetë eksitues dhe i pëlqyeshëm, një efekt tjetër i saj mund të jetë i frikshëm (si psh ndjenja e panikut apo ndjenja e persekutimit).

Reaksionet e papëlqyeshme mund të përfshijnë ankthin, depresionin, paranojen dhe ndjesitë e persekutimit dhe të marrëzisë së nxitur. Kjo mund të jetë e rrezikshme nëse përdoruesit janë me dpresion apo me ide suicidale (ide të vetëvrasjes). Mund të ndodhin aksidente me automjete apo me makineritë e ndryshme ndërkohë që individi është nën efektin e drogës. Nuk ka të dhëna për vartësi fizike apo për rrezik për doza fatale. Karakteristike është shfaqja e efkteve të drogës dhe mbas ndërprerjes së përdorimit të saj: një eksperiencë e tillë quhet “rikthim i efektit” (flashback), dhe mund të jetë shqetësuesë veçanërisht kur përdoruesi nuk di përse ajo ndodh.

Nëse përdoruesi është i vendosur që të përdorë LSD-në, atëherë për të ulur rreziqet e përdorimit ai duhet:

1.        Të bëjë kujdes me sasinë e drogës që përdor. Nëse nuk është i sigurt, duhet fillimisht të marrë një sasi shumë të vogël dhe të shohë çfarë efektesh do t’i japë ajo.

2.        Të shmangë përdorimin e LSD kur është me depresion apo në në gjendje ankthi.

3.        Të planifikojë me kujdes se në çfarë ambijenti social do ta përdorë drogën. Të sigurohet para përdorimit që situata ambjentale është nën kontroll dhe e përshtatshme.

4.        Të mos shqetësohet për rikthimin e efektit edhe kur nuk përdor drogë. Efekti i rikthyer shuhet shpejt.

 

10.  KËPURDHAT MAGJIKE

 

Këpurdhat magjike janë këpurdha halucinogjenike që rriten në stinën e vjeshtës në disa zona gjeografike. Tipi kryesor është këpurdha e gjinisë Psyolocibe. Tip tjetër është këpurdha Muscaria e gjinisë Amanita muscaria.

Këprdhat përdoren të pagatuara, pra sikurse gjenden në natyrë. Ato gjithashtu mund të thahen dhe më pas të konsumohen. Këpurdhat mund edhe të gatuhen ose të përgatiten në formë të çajit dhe të pihen.

Këpurdhat magjike janë droga me efekte mesatare halucinogjenike. Efektet variojnë nga personi në person dhe në të njëjtin person nga gjendja emocionale në momentin e përdorimit. Efektet fillojnë mbas rreth gjysëm ore dhe mund të vazhdojnë deri në nëntë orë në vartësi të sasisë së marrë. Efekti kryesor është ndjenja e humorit: përdoruesi qesh jashtë kontrollit dhe ndihet më konfident. Dozat e larta japin një gjendje të lehtë halucinogjenike, me shtrëmbërime të pamjes dhe të tingujve. Disa individ kanë të përziera, të vjella, si dhe dhimbje stomaku.

Efektet halucinante me percepsione negative mund të jenë të frikshme dhe jo të pëlqyeshme për përdoruesit. Efektet e një eksperience të tillë mund të përfshijë nauze, të vjella dhe paranojë. Ka një rrezik real për aksidente, sidomos për ato automobilistike, kur individi është nën efektin e drogës. Nuk ka të dhëna evidente për vartësi fizike. Shpesh ka manifestime të tolerancës, që nënkupton përdorimin e dozave më të mëdha për të fituar të njëtin efekt të mëparshëm. Një rrezik tjetër real është përdorimi i këpurdhave të tjera në vend të këpurdhave magjike, dhe ato këpurdha të tjera mund të jenë fare mirë këpurdha helmuese, jo rrallë vdekjeprurëse (kjo ndodh kur përdoruesi nuk i njeh këpurdhat magjike). Në një rast të tillë, simtomat e helmimit ushqimor përfshijnë nauze, krampe abdominale (kontraksione të barkut), të vjella etj. Nëse këto simptoma janë të renduara, atëherë duhet urgjentisht të kërkohet ndihma mjeksore.

Nëse përdoruesi është i vendosur që të përdor këpurdhat magjike, atëherë për të shmangur rreziqet e përdorimit ai duhet:

1.        Të jetë absolutisht i sigurt se çfarë është duke përdorur.

2.        Të kontrollojë me kujdes sasinë e këpurdhave që po përdor.

3.        Të shmangë përdorimin e këpurdhës Amanita Nuscaria, efektet e së cilës janë më pak të parashikueshme.

4.        Të shmangë përdorimin e këpurdhave magjike nëse ndihet i deprimuar ose në gjendje ankthi.

5.        Të planifikojë me kujdes se me kë, ku, si dhe qysh do ti përdorë këto produkte. Të përpiqet të gjejë një vend të qetë dhe një ambijent shoqëror miqësor për ta mbështetur atë nëse ai bëhet anksioz pas përdorimit.

 

11.  TRANKUILIZANTET (Qetësuesit dhe gjumë-sjellësit)

Trankuilizantët janë droga sintetike të prodhuara për përdorim mjeksor për trajtimin e gjendjeve anksioze, depresioneve, pagjumësisë dhe epilepsisë. Këtu përfshihen trankuilizanët minore, të tilla si Diazepami (Valiumi), Lorazepami dhe Libriumi, si dhe gjumësjellësit të tillë si Nitrazepami, Fluorazepami dhe Temazepami. Këto droga janë të përfshira në grupin e diazepinave.

Trankuilizantët minorë përgjithësisht përdoren për të qetësuar ankthin, ndërsa disa tipa të tyre përdoren për të rregulluar gjumin. Këto lloj medikamentesh janë ndoshta nga më të përhapurat në përdorim, sidomos nga individë që vetmjekohen ose dhe abuzojnë me to për problemet që ata mun të kenë në sferën psikologjike apo për qëllime të përfitimit të efekteve që këta medikamentë zotërojnë.

Trankuilizantët janë droga sedative, qetësuese. Ata ngadalsojnë aftësitë opruese të sistemit nervor qendror. Ata e bejnë përdoruesin të përgjumur dhe letargjik, dhe ndoshta edhe me humbje të kujtesës. Trankuilizantët qetësojnë tensionin nervor dhe ankthin. Efektet fillojnë mbas 10-15 minutash dhe mund të zgjasin deri në 6 orë pa përsëritur dozën.

Duke ngadalësuar reagimet dhe duke nxitur përgjumësinë trankuilizantët mund të rrisin rrezikun për aksidente, ndërkohë që përdoruesi është nën efektin e prepratit. Toleranca zhvillohet me shpejtësi. Edhe vartësia mund po ashtu të zhvillohet me shpejtësi me përdorimin e dozave të rregullta. Tërheqja nga droga, pra ndërprerja e menjëherëshme e saj mund të çojë në gjendje ankthi, dhimbje koke dhe të përziera. Mbas përdorimit të dozave të larta, ndërprerja e menjëherëshme çon në pasoja që mund të kërcënojnë edhe jetën.

Mbas një kohe relativisht të shkurtër këto droga mund të jenë jo të efektshme në shkaktimin e efekteve të dëshiruara. Ndërkohë që zhvillohet toleranca ndaj drogës, ka rrezik për rritjen e dozave për të fituar po atë efekt që përfitohej nga dozat më të vogla të mëparshme, dhe rritja e dozave shpie në rritjen e vartësisë. Dozat e larta mund të çojnë në konfuzion, ankth dhe harresë.

Nëse këto droga përzihen me droga të tjera, sidomos me alkoolin, atëherë rritet jashtë mase rreziku për mbidozë. Nëse trankuilizantët injektohen, atëherë mund të ketë rrezik për infeksionet që transmetohen me rrugën e gjakut (HIV/AIDS, hepatitet virale B e C etj.) pikërisht atëherë kur përdorën në grup të njëjtat pajisje injektuese.

Nëse përdoruesi është i vendosur që të vazhdojë përdorimin e trankuilizantve, atëherë për uljen e rreziqeve të përdorimit ai duhet:

1.        Të mos t’i përdorë trankuilizantët me droga të tjera, sidomos me alkoolin.

2.        Të mos ngasë automjet apo të punojë me makineri të rrezikshme ndërkohë që është nën efektin e drogës.

3.        Të mos ndërpresë menjëherë drogën nëse është i varur prej saj. Për ndërprerjen e përdorimit të trankuilizantëve të kërkojë këshillat mjekësore dhe të ulë gradualisht dozat e preparatit.

4.        Nëse trankuilizantët merren me injektim, të bëhet kujdes si për dozën që merret ashtu dhe për shmangien e plotë të infeksioneve që transmetohen përmes rrugës së gjakut.

Mjedisi, çrregullimi i personalitetit dhe përdorimi i drogave mund të kenë ndikim të rëndësishëm në formimin e personalitetit të të riut.

12.  ÇRREGULLIMI I PERSONALITETIT ANTISOCIAL[1]

Çrregullimi i personalitetit antisocial karakterizohet me një mënyrë sjelljeje shoqërisht të rrezikshme dhe kriminale, e qëndrueshme dhe shumë e zgjatur, që nuk njeh dhe nuk përfill të drejtat e njerëzve. Këta individë kryejnë vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur veprime të egra, të dhimbshme, makabre, ndaj personave të tjerë. Të paktën në numër mund të jenë ata individë me çrregullim personaliteti antisocial, që kryejnë veprime amorale të rrezikshme shoqërore për një periudhë kohe të shkurtër dhe me karakter kalimtar.

Personat me çrregullim personaliteti antisocial janë të ngurtësuar emocionalisht, nuk kanë dhimbshuri morale, nuk përfillin ndjenjat e të tjerëve, nuk kanë keqardhje për të tjerët, janë violentë. Ata kryejnë marrëdhënie seksuale në mënyrë impulsive, brutale dhe me padhimbshuri. Kur martohen nuk respektojnë normat e jetesës bashkëshortore dhe familjare, mbajnë qëndrime indiferente ose i keqtrajtojnë psiqikisht dhe fizikisht gratë. Ata nuk i përmbahen dhe nuk ruajnë marrëdhënie të rregullta monogame, së paku për më shumë se një vit i ndajnë gratë. Individët me çrregullim personaliteti antisocial janë sadist, kënaqen kur injorojnë, dëmtojnë dhe shfrytëzojnë të tjerët, janë impulsivë dhe të paqëndrueshëm. Ata dështojnë kur angazhohen në veprimtari që kërkojnë vullnet, durim, qëndrueshmëri, besnikëri, rregull dhe disiplinë, sepse gjenden para pengesave të shumta dhe vështirësive të mëdha për të kryer veprime të planifikuara dhe nuk mund të arrijnë qëllime të caktuata si stabilitet në punë, shoqëri dhe familje. Ata e kanë si rregull kryerjen e veprimeve antiligjore. Personat kanë shumë vështirësi në përshtatje ndaj normave shoqërore, braktisin një varg detyrash pa pasur plane reale për punë të tjera. Ata janë të prirur për të shkatërruar pasurinë e të tjerëve, për të vjedhur dhe grabitur. Individët për një kohë të zgjatur, më tepër se gjashtë muaj, qëndrojnë pa punë kur kërkohet që të punojnë edhe kur puna është e përshtatshme. Ata angazhohen në veprimtari ilegale.

Personat me çrregullime personaliteti antisocial janë iritabël, agresivë dhe impulsivë, konfliktet dhe agresionet janë pjesë përbërëse e jetës së tyre. Ata papritur ndërmarrin udhëtime, arratisje dhe dramomani nga një vend në tjetrin pa ndonjë qëllim apo objektiv të caktuar dhe pa pasur ide paraprake se ku dhe kur do të përfundojnë.

Njerëzit me çrregullime personaliteti antisocial nuk ndërgjegjësojnë, veprimet antishoqërore të tyre, ndjehen të pafajshëm, fajësojnë të tjerët, nuk nxjerrin mësime nga përvoja e tyre e zgjatur antiligjore, nuk përfitojnë nga eksperienca e përgjithshme shoqërore, sjellja e tyre mbetet gjithmonë e rrezikshme dhe plot me dëmtime dhe arrestime ligjore. Ata gjatë ndërmarrjes së akteve antisociale, pasqyrojnë egërsi, kokëfortësi, vendosmëri, egoizëm dhe padhimbshuri. Individët me çrregullim personaliteti antisocial nuk vlerësojnë realitetin, gënjejnë, mashtrojnë, falsifikojnë dhe shfrytëzojnë të tjerët për qëllime përfitimi dhe kënaqësi. Këta nuk kujdesen për sigurinë e jetës së vet dhe të të tjerëve, nuk parashikojnë në kohën e duhur edhe në masën e duhur pasojat e mundshme, p.sh. Shoferi udhëheq makinën në gjendje të dehur dhe me një shpejtësi shumë të madhe kur është duke udhëtuar së bashku me persona të tjerë. Këta nuk bëjnë kujdes për të mirëmbajtur, edukuar dhe rritur fëmijët e tyre, kanë mungesë të ndjenjës dhe përgjegjësisë si prind, nuk kujdesen për higjijenën e fëmijëve, për shëndetin e tyre, as kur ata sëmuren dhe as për harxhet e përditshme të tyre. Personat me çrregullim personaliteti antisocial kanë vështirësi të theksuara për të mbajtur marrëdhënie të rregullta e të zgjatura me të afërmit, me familjarët, me partnerët seksualë dhe me shokët.

Çrregullimet e sjelljes antisociale, para moshës 15 vjeç, mund të jenë: endacaku, indisiplinimet shkollore, braktisja e shkollës, largimet gjatë gjithë natës nga shtëpia, së paku dy herë (kur jeton me prindërit) ose një herë por që nuk kthehet më (në raste kur kushtet e bashkëjetesës me prindërit janë shumë të këqia), zënie të shpeshta fizike (rrahje, plagosje) që i fillojnë vetë të parët, përdorim i shpeshtë i armëve ose thikave në shumicën e konflikteve, mungesa e mëshirës dhe detyrimi i partneres për të kryer marrëdhënie seksuale me të, torturimi i kafshëve, pamëshira ndaj goditjes fizike të të tjerëve, shkatërrimi me dëshirë dhe lehtësi i pasurisë së të tjerëve, vënia e zjarrit objekteve, gënjeshtrat e shpeshta, kryerja e vjedhjeve të përsëritura, me ose pa goditje e vrasje.

Individët me çrregullim personaliteti antisocial, para moshës 15 vjeç kanë vështirësi deri paaftësi për të qëndruar gjatë në një qendër pune. Ecuria e çrregullimit të personalitetit antisocial karakterizohet me shfaqjen e periudhave të dëmtimeve të theksuara të marrëdhënieve ndërpersnale, të rëndimit të gjendjes së tyre, që komplikohet me shtrime të herëpasherëshme në spitale dhe me arrestime dhe burgime. Jeta e tyre rrezikohet nga konfliktet të rënda e violente me njerëzit. Pas moshës 30 vjeç zbuten tiparet patologjike, sidomos promiskeriteti seksual, konfliktet fizike dhe kriminaliteti. Vështirësitë e marrëdhënieve me personat dhe disforia (mërzitja, inati, zemërimi) vazhdojnë edhe në moshën adulte, madje edhe kur sjellja antisociale është reduktuar mjaft. Personat me çrregullim personaliteti antisocial në adoleshencën e hershme përdorin drogë, kryejnë marrëdhënie seksuale të parakohshme dhe perverse.

Ka një model marrëdhëniesh të mospërfilljes, të mosmarrjes në konsideratë dhe të shkeljes së të drejtave të të tjerëve, që fillon nga mosha 15 vjeç dhe që shfaqet së paku me tre ose më shumë nga shenjat e mëposhtme:

·          Dëmtim dhe dështim për t’iu përshtatur normave shoqërore, për të respektuar sjelljet e ligjshme dhe që shoqërohet me përsëritje të vazhdueshme të veprimeve antiligjore, të cilat janë bazë për ndëshkime ligjore dhe arrestime.

·          Mashtrime, që shprehen me gënjeshtra të përsëritura, me përdorimin e pseudonimeve ose me anë të mashtrimit të të tjerëve për kënaqësi personale ose/dhe përfitime.

·          Impulsivitet ose dëmtim të aftësisë për të planifikuar të ardhmën.

·          Iritabilitet dhe agrisivitet që shprehen nëpërmjet sulmeve fizike ndaj të tjerëve dhe që nuk bëhen për të mbrojtur veten ose të tjerët.

·           

·          Pakujdesi të paarsyeshme dhe mospërfillje për të siguruar veten ose të tjerët.Mungesa e përhershme dhe e qëndrueshme e përgjegjësisë, që shprehet me mungesë të përsëritur të aftësisë për të siguruar punë stabël dhe / ose për të respektuar detyrimet financiare.

·          Mungesë keqardhjeje dhe pendimi që shprehet me faktim e qëndrimit indiferent dhe / ose të faktit për t’iu justifikuar pasi ka plagosur, keqtrajtuar ose vjedhur të tjerët.

Personat me çrregullim personaliteti antisocial kryejnë veprime të rrezikshme kriminale për shkak të inferioritetit dhe impulsivitetit, të hakmarrjes dhe përfitimit. Këta persona shfaqin tipare të sjelljes së tyre që në  fëmijërinë e hershme, sidomos me akte sadiste e violente ndaj kafshëve. Por duhet pasur parasysh se mosbindja, zemërimi, tendenca e sjelljeve torturuese ndaj kafshëve dhe mungesa e afeksionit të dhembshurisë ndaj veprimeve dëmprurëse, janë pasojë edhe e kurioziteteve fëmijërore, kur fëmijët ndodhen përpara situatave të huaja ose të reja.

Shumë psikiatër dhe psikologë janë të mendimit se sjellja kriminale e ka burimin, dhe shfaqet, që në fëmijëri, ushqehet nga mikroklima, ndikohet nga edukimi familjar dhe shoqëror, sepse edukimi i mëtejshëm mund të maskojë individin, po nuk e ndryshon atë. Shumica e psikiatërve mendojnë se kur sjellja antisociale shfaqet para moshës 12 vjeç, prognoza është shumë e keqe dhe shpresat për korrigjim janë të pakta. Shumë autorë, gjithashtu, mendojnë se sjellja amorale, kriminale takohet më tepër në individë që kanë trashëgimi me pjesëtarë të familjes dhe të afërm të tjerë që vuajnë nga shkizofrenia. Çmenduria morale është simptomë si e psikopatologjisë dhe i psikozave. Në këtë aspekt personat me çrregullim personaliteti antisocial duket se kanë tipare të përbashkëta me skizofreninë, por psikopatët nuk pësojnë defekte psikotike. Veprimet amorale kriminale mund të shfaqen edhe në moshën e pubertetit, por ato mund të jenë reaksione violente ndaj disiplinës shkollore dhe kanë karakter kalimtar. Kur një individë vepron në mënyrë amorale, kriminale dhe pa afeksion, duhet dyshuar se ai mund të vuajë nga skizofrenia. Sjellja pa afeksion, me karakter amoral dhe kriminal, mund të jetë pasojë e dëmtimit të trurit, e encefalititit, e traumave mekanike të kokës.Ndaj veprimeve antilogjore të personave me çrregullim personaliteti antisocial vendoset përgjegjshmëria e kufizuar. Këta individë janë tepër violentë, makabër dhe të pamoralshëm, me tipare skizoide, por marrja e masave ligjore nuk ka zgjidhur plotësisht problemin. Mendohet se marrja e masave me karakter riedukues dhe mjekues (izolimi dhe mjekimi) duket të jetë më e përshtatshme dhe më e dobishme.

Faktorët predispozues të çrregullimit të personalitetit antisocial janë çrregullimet defiçitare të vëmendjes në fëmijëri, mungesa e disiplinës prindërore në pubertet, abuzimi me fëmijët (heqja nga shtëpia, rritja e tyre pa praninë e të dy prindërve). Çrregullimi i personalitetit antisocial fillon në adoleshencë, me akte të vogla kriminale, dhe më vonë ato rëndohen duke shfaqur veprime kriminale tepër violente dhe makabre. Kur moshohen, personat me çrregullime të personalitetit antisocial mund të zbuten, dhe individët të maturohen disi nga ana afektive. Çrregullimi i personalitetit antisocial takohet pesë herë më tepër midis kushërinjve të gjinisë së parë për meshkujt. Në rrethin familjar të çrregullimit të personalitetit antisocial ka persona neurotikë të somatizuar dhe të droguar. Në zhvillimin e çrregullimit të personalitetit antisocial luajnë rol si faktorët gjenetik, ashtu edhe ata rrethanorë të mjedisit.



[1] Nazim Shtino, Anita Pilika: PERSONALITETI DHE ÇRREGULLIMET E TIJ, Tiranë, 2001, fq.154-158.

 

Kryetari

 
 

Galeria

 
 

Sponsorët

 
Të gjitha të drejtat të rezervuara. Partia Ekologjike ©